Për Shoqërinë Bjeshkatare Alpiniste ‘’Prishtina’’

Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste ““Prishtina”” është themeluar në vitin 1948 me emrin “Gërmia” nga bjeshkatarët e asaj kohe. Emrin “Gërmia” e mori pasi që qyteti i Prishtinës të vetmin mal më të afërt e kishte Gërminë.

Silueta Hiker Gjatë viteve 70-ta iu ndërrua emri nga Shoqëria Bjeshkatare –Skitare “Gërmia” në Shoqëria Bjeshkatare -Skitare ““Prishtina””.
Më vonë në vitet ’80-ta skitarët formuan Shoqërinë e tyre kurse bjeshkatarët e emëruan shoqërinë me emrin Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Prishtina” të cilin e mbanë edhe sot.
Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Prishtina” gjatë viteve të fundit ka bërë shumë për promovimin e këtij sporti rekreativ si dhe sensibilizimin e banorëve të Kosovës për rëndësinë e ruajtjes së resurseve tona natyrore.

Anëtarët e Shoqërisë kanë marrë pjesë në shumë evenimente të karakterit sportiv dhe bjeshkatar, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, ku kanë korrur suksese dhe e kanë afirmuar emrin e bashkëqytetarëve tanë. Shoqëria punon në bazë të statutit të harmonizuar me statutin e Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Republikës së Kosovës dhe është në shërbim të plotë të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Deri më tani janë shënuar me dhjetëra kilometra shtigjesh malore, të të gjitha kategorive dhe gradacioneve, janë vizituar vende shumë të veçanta dhe të lëna pas dore, janë pushtuar shumë maja të larta dhe, mbi të gjitha, u është dhënë mundësia me qindra personave që ta njohin natyrën e Kosovës dhe të vendeve të rajonit.

Qëllimi ynë primar është zhvillimi i aktiviteteve sportive malore, ngritja e vetëdijes qytetare rreth ruajtjes së florës dhe
faunës sonë, takimi dhe njohja e njerëzve të trevave të ndryshme në aksione malore, rritja e kualitetit të jetës nëpërmes organizimeve javore në lartësi të mëdha mbidetare, si dhe promovimi i vlerave tona natyrore dhe kombëtare në
rajon dhe botë.

Në planin tonë afat-mesëm është paraparë edhe një fushatë e fuqishme sensibilizimi për qytetarët tanë, për bjeshkatarinë dhe alpinizmin, me qëllim të zgjerimit të aktiviteteve tona, si dhe aktivizimit të tyre në aktivitete bjeshkatare. Programi ynë vjetor, si dhe praktikat e ndërtuara në shumë vite përvojë, nuk lënë dyshim se Sh.B.A.’’Prishtina’’ është shoqëri e duhur për qytetarët e Kosovës, sepse mu këtu epet mundësia që të vizitohen pjesët më ekzotike të Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Anëtarët tanë, pa dallim moshe, gjinie apo kombësie, e kanë pasur rastin që, nën organizimin dhe udhëheqjen tonë, të pushtojnë majat më të larta dhe më mbresëlënëse të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit, të ecin shtigjeve të lashta dhe piktoreske të bjeshkëve tona, të shohin liqene, kreshta, lumenj dhe gryka mahnitëse, dhe mbi të gjitha, të shoqërohen, stërviten dhe ta rrisin kualitetin e jetës nëpërmes aktiviteteve tona rekreative.  Familje të tëra kanë marrë pjesë në udhëtime, ecje dhe ngjitje të ndryshme, aktivitete këto ta paharruara dhe shumë të dobishme për shëndetin dhe formimin edukativ të fëmijëve.
Gjithashtu, me ne janë aktivizuar në kampime shumë grupe personash nga kolektive të ndryshme punuese, grupe studentësh dhe nxënësish, si dhe persona ndërkombëtarë. Stafi ynë ofron edhe trajnime për ngjitje, orientim dhe përdorim të pajisjeve
alpine.

Numri i anëtarëve tanë është duke u rritur dita ditës, duke na shtyrë drejt organizimeve edhe më të mëdha, gjë që edhe është duke
ndodhur. Programi ynë vjetor është program i larmishëm dhe atraktiv, prandaj të gjithë ata që e duan natyrën, shoqërinë, alpinizmin dhe kulturën sportive, të anëtarësohen në Sh.B.A. ‘’Prishtina’’.

Për anëtarësim duhet të lajmëroheni në kontaktin info@shba-prishtina.com, ndërsa informatat janë si më poshtë:

Duhet të plotësohet aplikacioni, të cilin mund t’ua dërgojmë me e-mail, pas kërkesës suaj; ose ta merrni personalisht në       aksionin e parë që merrni pjesë. Duhet të dorëzohen edhe dy fotografi, të cilat mund ti dorëzoni personalisht në shoqatë;              ose në aksionin e parë që merrni pjesë; si dhe me e-mail nëse jeni familjar me punimin e fotove të thjeshta.

Pagesat janë:
Pagesa për Librezë                                 2   €

Pionier deri në moshën 14 vjeç                5   €

Junior-Studentë                                     8   €

Senior-Të  Rritur                                    10 €

Pagesat mund të bëhen në Zyrat e Sh.B.A.’’Prishtina’’; ose në aksionet ku merrni pjesë; por edhe në xhirollogarinë e shoqatës (vetëm e sillni pastaj fletëdëshminë bankare)
Xhirollogaria Bankare    1700-2001-001208 41      NLB (Shoqëria Bjeshkatare Prishtina)