RAPORT I EKSPEDITËS KOSOVARE PËR PUSHTIMIN E TRIGLLAVIT 25-29.06.2011

Lmd.  2864 m
Koordinatat: 46°23′00″ V   13°53′00″ L (Slloveni)

Pjesëmarrës:   13 anëtarë të SH.B.A. Prishtina-Prishtinë

16 anëtarë të SH.B.A.Gjeravica-Pejë

3  anëtarë të SH.B.A. Sharri-Prizren

1  anëtar i SH.B.A. Kalaja e Fushë Kosovës-Fushë Kosovë

Gjithsej: 33 Anëtarë

Udhëheqës  të Ekspeditës :  Prishtinë-Slloveni :

Gani Syla (SH.B.A.Prishtina Prishtinë), Gjemajl Kelmendi  (SH.B.A.Gjeravica-Pejë)

Udhëheqës të Shtegut : Aljažev Dom – Trigllav  :

Fatmir Emini (SH.B.A.Prishtina-Prishtinë), Muhamed Domuzeti (SH.B.A.Sharri-Prizren)

Ekipi për Ndërhyrje Teknike dhe Emergjencë:

Nazmi Hasanramaj (SH.B.A.Prishtina-Prishtinë), Deni Hameli (SH.B.A.Sharri-Prizren),

Plani për pushtimin e majës së Trigllavit  ka qenë në programin vjetor të SH.B.A.Prishtina dhe Federatës Bjeshkatare të Kosovës. Projekti i hartuar nga SH.B.A.P Prishtina për pushtimin e majës së Trigllav  është dorëzuar FBAK, me qëllim që i njëjti të përkrahet materialisht. I përkrahur fuqishëm nga Federata Bjeshkatare e Kosovës dhe kryetari i saj(Arben Lila) projekti është mbështetur me një shumë prej  2,000.00 €, gjë që me duartrokitje është përshëndetë nga ana e bjeshkatarëve.

25.06.2011

Nisja është bërë nga parkingu afër TV 21 në Prishtinë, me datën 25.06.2011 në ora 24:05. Në autobus
gjendeshin 13 anëtarët e SH.B.A.Prishtina, një i SH.B.A. “Gjeravica” dhe një i SH.B.A.”Fushë Kosova”.

Në Pejë kemi arritur në ora 01:30 ku u akomoduan në autobus edhe 15 anëtarë të SH.B.A.”Gjeravica” nga Peja. Më pas kemi vazhduar për në Prizren ku arritëm në ora 02:48. Në Prizren na janë bashkuar edhe 3 anëtarë të SH.B.A.”Sharri”.  Gjithsej në autobus u bëmë 33 anëtarë, dhe dy drejtues të autobusit.

Kufiri në Morinë është kaluar në ora 03:50, ndërsa kufiri Shqiptaro-Malazez, Muriqan, është kaluar  në 06:00 të mëngjesit. Rruga është vazhduar në drejtim të magjistrales së Adriatikut, të bregdetit malazez.
Është kaluar qyteza Petrovac dhe kemi arritur në periferitë e Kotorrit. Në ora 09:15 kemi lundruar me traget, përtej Kanalit të Kotorrit, dhe më pas kemi arritur në Hercegnovi, në ora 10:00.  Kufiri Malazezo-Kroat është kaluar në 10:20, ndërsa ai Boshnjak dhe Kroat prej orës 10:00, deri në 10:35

Në Dubrovnik kemi arritur në ora 11:50 ku, pas shumë tentimesh për të gjetur një vend-parkim për autobus, u detyruam ta vazhdojmë rrugën jashtë qytetit. Në dalje të Dubrovnikut kemi pushuar dhe kemi bërë foto për rreth 20 min. Më pas kemi vazhduar, por nxehtësia dhe lodhja bënë që të ndalemi në fshatin Lozica, dhe të freskohemi në det për rreth një orë. Nga Dubrovniku jemi nisur në ora 13:50, dhe pas një rruge të gjatë dhe të lodhshme nëpër Dalmaci, e kemi arritur qytetin Karlobag;  rreth orës 21:00 kemi arritur në Shtëpinë
Bjeshkatare ‘’Miroslav Hirtz’’. Kjo shtëpi gjendej në portin e vogël të Dalmacisë, Jablanac, brenda Parkut Nacional ‘’Velebit’’.

26.06.2011

Në mëngjes, me datën 26.06.2011, në ora 08:00, jemi nisur nga Jablanac drejt Rjekës, ku kemi arritur
rreth orës 10:20. Në Rjekë bëmë një pushim dhe vizitë në qendrën dhe portin e qytetit, ndërsa në 11:45 jemi nisur me autobus drejt plazhit të Rjekës(Kantridë), ku kemi bërë plazh deri në 13:25. Një Rjekas, me origjinë shqiptare na priu vullnetarisht gjatë gjithë kohës sa kemi qëndruar në Rjekë dhe në plazhin e qytetit. Ai u prek dhe u emocionua nga natyra, energjia dhe caku i grupit. Gjatë larjes në det, disa anëtarë të grupit si Deni Hameli, Xhemajl Kelmendi etj, zhyteshin deri në 5 m dhe nxirrnin gurë nga fundi i detit. Kjo bëri që të krijohen barsoleta gjatë rrugës, sepse thuhej se nga -5 m, do të arrijmë në 2864, dmth 5 m më lartë se të tjerët që kishin qëndruar në sipërfaqen e ujit.

Në 13:30 jemi nisur drejt kufirit Kroato-Slloven të cilin e kemi kaluar në ora 14:00. Gjatë autostradës për në perëndim të Sllovenisë kemi provuar të furnizohemi me ushqime, por kemi hasur në probleme për shkak të çmimeve të larta dhe mungesës së produkteve. Sidoqoftë, në Mojstrana kemi arritur në ora 17:50, ndërsa në ora 18:16 në vend-parkimin e kompleksit Aljažev Dom, përkatësisht në shtëpinë malore Šlajmerjev Dom. Deri në ora 19:20 jemi akomoduar nëpër dhoma. Šlajmerjev Dom gjendej në një luginë piktoreske në lartësi 1015 m, në veri të Trigllavit. Në mbrëmje, në tavernën e Aljažev Dom, ku ofrohej  darka dhe pije freskuese, është mbajtur një mbledhje për planin e nesërm të pushtimit të majës së Trigllavit. Pas konsultave me disa alpinistë slloven u vendos si në vijim: Nisja të bëhej në orën 06:00 të mëngjesit dhe të përdorej shtegu verior i quajtur ‘’Prag 1’’. Udhëheqës i grupit gjatë ngjitjes u ri-emërua Fatmir Emini, ndërsa ndihmës Muhamed Domuzeti.

Grupi teknik për lidhje dhe emergjence eventuale u vendos të jenë: Nazmi Hasanramaj. Gjithashtu, u vendos që kthimi të bëhej nëpër të njëjtin shteg, pra të mos shkohej në perëndim të Trigllavit, te Liqenet e Bohinjit. Arsyeja qenë informacionet e marra nga alpinistët slloven. Ajo pjesë ishte ende e mbuluar me akullnaja dhe borë, prandaj nuk preferohej për grupe të mëdha. Atë natë është thirrur i gjithë grupi  u janë dhënë
instruksionet, janë shpërndarë pajisjet dhe është bërë një demonstrim i vogël për përdorimin e tyre.

27.06.2011

Në ora 06:05, të datës 27.06.2011 është nisur i gjithë grupi dhe, pas një orë ecje, kemi arritur rrëzë një shkëmbi me lartësi 200-300 m, dhe aty u kuptua se e kemi kaluar lakesën për shtegun ‘’Prag 1’’. Atëherë u vendos që një pjesë e grupit të vazhdojë nëpër shtegun e pamarkuar, ndërsa tjetra u kthye e gjeti lakesën për në shtegun e kërkuar. Sidoqoftë, orientimi ishte i mirë dhe pas një ore të dyja grupet u takuan në fillimin e Via-Ferrata të shtegut ‘’Prag 1’’. Nga aty kanë filluar vështirësitë teknike por koordinimi ishte në nivel, gjë kjo që i bëri të gjithë të ndihen më të sigurt. I gjithë shtegu ishte i dedikuar për alpinistë, jo për bjeshkatarë, por karakteri alpin ishte i shkallës 1 dhe 2, prandaj mund të ngjiteshin pothuajse të gjithë.

Para se të arrihej në Dom Kredarice, te një pjesë e anëtarëve të grupit vëreheshin shenja të lodhjes dhe të stresit, për shkak të gjatësisë së udhës, pjerrësisë dhe Via Ferratave të njëpasnjëshme. Në Dom Kredarice  (2514 lmd) kemi arritur në ora 12:45. Pamja dramtike dhe madhështore e Trigllavit, që u shfaq para nesh në atë qast, na bëri të mendojmë më shumë për masat e sigurisë që duhet marrë.

Nga aty është nisur prapë kolona, këtë radhë me masa shtesë të sigurisë. Litarin e sigurisë, në pjesën e parë të borës, e vendosën Nazmi Hasanramaj, Deni Hameli dhe Muhamed Domuzeti. Grupi ecte ngadalë por sigurt. Vazhdimisht përdoreshin karabinat dhe lidhjet e sigurisë.

Maja e Trigllavit u pushtua rreth orës 15:00; disa kanë arritur edhe më herët. Nazmi Hasanramaj dhe Xhemajl Kelmendi kanë arritur të fundit (kështu ishte marrëveshja me Udhëheqësin).

Gjithsej, 28 nga 33 anëtarët e ekspeditës e kanë pushtuar majën. Është ngritur flamuri dhe ka filluar kthimi. Duhet të ceket vendimi profesional i duhur i 5 bjeshkatarëve që nuk e vazhduan tutje rrugën për në maje. Në 2500 m ata e pritën grupin deri sa u kthyem. Në Šlajmerjev Dom bjeshkatarët kanë arritur nga ora 19:40, deri në ora 22:00. Asnjë nuk ka qenë i vetëm. I gjithë grupi ka qenë i ndarë në grupe të vogla gjatë zbritjes, por në kolonë. Ata që kanë pasur probleme gjatë zbritjes, kanë pasur përkrahje të madhe nga anëtarët e tjerë, pa marrë parasysh nga cili qytet vinin. Do të ishte mirë të ceken disa persona që kanë bërë shumë për grupin, madje edhe në Šlajmerov Dom kanë vazhduar të mbajnë shënime dhe të kontrollojnë për ndonjë lëndim të anëtarëve.

Në Šlajmerov Dom bjeshkatarët janë pastruar dhe kanë fjetur edhe një natë.

28.06.2011

Në mëngjes 29.06.2011, rreth orës 06:30 jemi nisur për Lubjanë, ku arritëm rreth orës 08:30. Të gjithë u
relaksuan dhe dolën për vizitë dhe furnizime. Nga Lubjana jemi nisur rreth orës 10:45. Kufiri Slloveno-Kroat 11:45 (këtu u blenë dhurata dhe rekuizita në Free-Shop). Gjatë udhës janë bërë edhe dy pushime nga 30 min. Kufiri Kroato-Boshnjak 19:50 / Neum 20:05 / Kufiri Boshnjako-Kroat 20:15. Në fshatin Baniči (20:20) është bërë një pushim një orësh; disa nga anëtarët e grupit u lanë në det, deri rreth orës 21:00. Dubrovnik 21:45 / Kufiri Kroato-Malazez 22:51 / Herceg Novi 23:40 /

29.06.2011

Kotorr 24:05 / Budva 01:00 / Kamenovo 01:13 / S.Stefan 01:15 / Bar 01:39 / Ulqin 02:15 / Kufiri Malazezo-Shqiptar 03:00 / Kufiri Kosovar 05:45.

Në Prizren kemi arritur në ora 06:15, ku kanë zbritur tre anëtarë të SH.B.A. Sharri, dhe kemi vazhduar për
Pejë. Në Pejë kami arritur në ora 07:35; të gjithë kemi zbritur dhe kemi pirë kafen e mëngjesit. Grupi i Pejës na përshëndeti dhe ne vazhduam për Prishtinë, për të arritur në ora 09:35. Nga autobusi kemi zbritur në ora 10:00, ku na prisnin anëtarë dhe familjarë, bashkë me Kryetarin e Federatës Arben Lila.

Përfundim

Ekspedita e Trigllavit do të mbetet gjatë në kujtesën e anëtarëve që morën pjesë në të. Së pari natyra e
ekspeditës, përveç sportive, bjeshkatare, alpiniste, etj, ishte edhe zyrtare/shtetërore (participimi me 2000 € nga ana e Ministrisë për sport dhe kulturë, vizat gratis nga ana e R.Sllovenisë ). Alpinistët kanë qenë shembullor, kooperativ, të disiplinuar dhe me humor të mirë. Nuk është shënuar asnjë ekses apo problem, edhe pse rruga ka qenë jashtëzakonisht e gjatë dhe e mundimshme.

Falë shpirtit kolektiv dhe kooperimit, në Trigllav janë ngjitur shumica absolute e grupit. Të gjithë kanë qenë të dëgjueshëm dhe kanë  respektuar vendimet e udhëheqësve. Nga rreziqet e shumta të Trigllavit, grupi u kthye pa asnjë lëndim. Nuk ka pasur asnjë rrëzim, rrëshqitje apo goditje nga gurët që binin. Edhe në më të voglën pasiguri të ndonjërit nga anëtarët, reagohej si grup, me litarë dhe duke ia bartur edhe çantën. Ushqimet dhe uji shkëmbeheshin dhe nuk ka pasur asnjë humbje të pajisjeve. Përveç tjerash, flamuri ynë
shtetëror dhe kombëtar është ngritur në Trigllav, ku ka pasur edhe të huaj.

Gjatë rrugëtimit, janë vizituar vende të jashtëzakonshme të Dalmacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi. Në
çdo rrethanë, ne u sollëm si evropianë dhe përfaqësuam vlera që ekzistojnë në Kosovë; pra vlera të vërteta evropiane dhe demokratike, duke e vërtetuar kështu konceptin për përkatësinë tonë evropiane.

Federata e Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës, si dhe Sh.B.A.Prishtina, si udhëheqëse e ekspeditës, falënderojnë gjithë pjesëmarrësit e kësaj ekspedite;  për përfaqësimin e denjë të shtetit tonë,  profesionalizmin, kulturën sportive, si dhe disciplinën e treguar kundrejt organizatorit.

Raportin e përpiluan :

Gani  Syla

Gjemajl  Kelmendi

Nazmi  Hasanramaj

Fatmir  Emini

Muhamet  Domuzeti

Deni  Hameli

 

 

Kampi i Bajgorës, një përjetim i veçantë

Kampi i Bajgorës, i mbajtur me 28 dhe 29 Maj, është organizim i përvitshëm i Sh.B.A.Prishtina.
Edhe sivjet kampi u vendos në vendin e quajtur Barrel, në bjeshkët e Shalës së Bajgorës. Vendi ishte shumë piktoresk, kishte hapësirë të mjaftueshme, ujë dhe dru; ndërsa në të gjitha anët binte në sy relievi i kombinuar me pyje ahu dhe
lëndina të pafundme. Në gjithë hapësirën e caktuar për kampim shiheshin bjeshkatarë, të të gjitha moshave dhe gjinive, duke i ngrehur tendat duke e pastruar terrenin, duke bartur ujë dhe dru, por edhe duke kuvenduar dhe
zbavitur në forma të ndryshme.

Disa kishin ardhur me të gjithë familjen, siç ishte Blerim Sokoli, fëmijët e të cilit e gjallëruan kampin me zërat dhe lojërat e tyre. Deri në orët e vona kanë vazhduar të vijnë kampistë, të cilët kur i afroheshin kampit entuziazmoheshin nga ajo pamje që i priste. Udhëheqësit e kampit: Sami Sejdiu, Abdullah Softolli (Dulla), dhe Ymer Jaha i kishin marrë të gjitha masat që ky organizim të shkojë sipas planit por, ata kishin përgatitur edhe befasi tjera të këndshme që nuk do
të harrohen lehtë. Së pari ishin kujdesur që kampistët të priten dhe gostiten sipas traditës së kësaj ane. Kampi ishte i siguruar, drutë ishin të siguruara, tavolinat, karriget, pajisjet muzikore, televizioni; por në mbrëmje i gjithë
kampi është gostitur me flija (të përgatitura nga shoqja e Ymer Jahës dhe të sjella nga Podujeva), mish në zgarë (të përgatitur nga Sami Sejdiu), si dhe pije të të gjitha llojeve (shumica të sjella nga Abdullahu dhe Samiu).

Në orët e mbrëmjes është luajtur një lojë interesante futbolli në mes kampistëve, në fushën aty pranë, gjë kjo që e shtoi humorin dhe oreksin e të gjithëve. Përderisa servohej flija, mishi dhe pijet, të gjithë e ndiqnin ndeshjen finale
në mes Barcelonës dhe M.United. Vazhdimisht dëgjoheshin zëra, batuta dhe qeshje në llogari të simpatizantëve rival.

Rreth zjarrit është kuvenduar, zbavitur por edhe është vallëzuar, deri pas mesnate. Pas mesnate kanë filluar të futen në tenda, ngase ditën e nesërme na priste një ecje nëpër shtegun e Bajgores.

Të dielën (ditën e nesërme) kampistët kanë filluar të zgjohen dhe të mblidhen rreth zjarrit. Aty i priste kafja e mëngjesit dhe çaji, të përgatitur dhe të servuar nga Zonja më e vjetër dhe më e respektuar në kamp, Sebahate Vrbovci,  e cila kishte ardhur së bashku me bashkëshortin Muratin, anëtar i hershëm ky i Sh.B.A.Prishtina.
Rreth orës 08:00 të mëngjesit jemi bashkuar me grupin e ardhur me autobus po atë ditë, dhe kemi filluar marshimin nëpër shtegun e parapërgatitur nga udhëheqësit e kampit; ndërsa një grup më e vogël, nën udhëheqjen e Sami Sejdiut, kanë marshuar në një shteg tjetër, sipas planit. Ecja ka zgjatur rreth 6 orë; ka pasur ngjitje dhe zbritje mëse të thyera, por pamjet ishin magjepsëse. I gjithë shtegu gjarpëronte nëpër pyje ahu, përrenj, lëndina dhe kodra që nuk të linin indiferent. Pas disa orësh ecje, jemi takuar edhe me grupin tjetër, te Kroni i Kafes, dhe prej aty kemi marshuar drejt Majës së Bajrakut 1790 lmd, maje kjo që e mbizotëron peizazhin në gjithë këtë trevë.

Dreka është ngrënë në këtë pikën më të lartë të Bajrakut. Më pas, nën udhëheqjen e Abdullah Softollit (Dulla), kemi ecur në një tjetër shteg drejt kampit. Në kamp, pas 16 km ecje,  kemi mbërritur rreth orës 06:00, ku pritej të përmbyllej kampi me flija të freskëta, edhe kësaj radhe të përgatitura nga shoqja e Ymer Jahës.
Por, meqenëse dita ishte e mirë, dhe flijat po vonoheshin pak, vendosem që ta luajmë edhe një lojë futbolli, gjë që edhe e bëmë. Kjo gjë na disponoi, sepse kishim nevojë të vrapojmë dhe të zbavitemi pas një ecje me çanta në shpinë. Ne e përfunduam darkën me flija e pije të ndryshme dhe filluam ti mbledhim tendat dhe gjërat tjera, për tu nisur përfundimisht nga kampi rreth orës 20:00.

Kampi i Bajgorës do të mbahet mend nga të gjithë pjesëmarrësit sepse ka qenë një përvojë mbresëlënëse, si në organizimin e kampit, ashtu edhe në udhëheqjen e aktiviteteve brenda tij. I gjithë kampi u është mirënjohës organizatorëve, por në veçanti udhëheqësve dhe nikoqirëve Sami Sejdiut, Abdullah Softollit (Dulla), si dhe Ymer Jahës me bashkëshorten.

 

 

Nr Data Kohëzgjatja Aksioni Themelor Aksionet Alternative
1 13.01.13 E Diel Gërmi- Shtegu i Thanave
2 20.01.13 E Diel
3 27.01.13 E Diel Shtime- Topillë
4 03.02.13 E Diel
5 10.02.13 E Diel Artanë- Malet e Artanës
6 17.02.13 E Diel Lybeteni- Dita e Pavarësisë
7 24.02.13 E Diel Lipjan- Blinaja
8 03.03.13 E Diel Prekaz
9 10.03.13 E Diel
10 17.03.13 E Diel Besjanë-Bjeshkët e LLapit
11 24.03.13 E Diel Therandë -Mushtisht
12 31.03.13 E Diel
13 07.04.13 E Diel Pejë-Maja e Rusolisë
14 14.04.13 E Diel
15 21.04.13 E Diel Shtërpcë-Maja Pashallore
16 28.04.13 E Diel
17 03-05.05.13 Tre Ditor Vlorë-Maja e Qikes
18 12.05.13 E Diel
19 18-19.05.13 Dy Ditor Mitrovicë-Kampi i Bajgorës
20 26.05.13 E Diel
21 31-02.06.13 Tre Ditor Theth-Maja e Harapit
22 08-09.06.13 Dy Ditor Prizren-Sharri 2013
23 16.06.13 E Diel
24 22-23.06.13 Dy Ditor Gjiri i Gjipesë-Liqejt e Lures
25 30.06.13 E Diel
26 06-07.07.13 Dy Ditor B.Curr-Valbona 2013
27 14.07.13 E Diel
28 20-21.07.13 Dy Ditor Pejë-Maja e Hajles
29 28.07.13 E Diel
30 04.08.13 E Diel Deçan-Maja e Gjeravicës
31 11.08.13 E Diel Pejë-Gryka e Rugovës
32 18.08.13 E Diel Kukës-Maja e Gjallicës
33 25.08.13 E Diel
34 30-01.09.13 Dy Ditor Takimet e Brezovicës
35 07-08.09.13 Dy Ditor Mavrovë-Maja e Korabit
36 13-15.09.13 Tre Ditor Bullgari-Maja Musala
37 22.09.13 E Diel
38 29.09.13 E Diel Sharr-Maja Kobilica
39 06.10.13 E Diel
40 13.10.13 E Diel Lybeteni nga Glloboqoca
41 20.10.13 E Diel
42 27.10.13 E Diel Bistra nga Prevalla
43 03.11.13 E Diel
44 10.11.13 E Diel
45 17.11.13 E Diel
46 24.11.13 E Diel Bjeshkët e Gollakut
47 01.12.13 E Diel
48 08.12.13 E Diel Malet e Drenicës
49 15.12.13 E Diel
50 21.12.13 E Shtunë Mbrëmje Shoqërore