Projekti ”Definimi dhe Shënimi i Shtigjeve në Parkun Regjional të Gërmisë”

Ky projekt është duke u implementuar nga Sh.b.a.’’Prishtina’’dhe gradualisht është duke marrë formën e dëshiruar dhe të planifikuar. Studimi i fizibilitetit është bërë një kohë të gjatë, ndërsa tani ka filluar edhe faza e dytë e standardizimit të shenjave dhe parametrave tjerë. Përfundimi i projektit prashihet të bëhet në muajt Prill ose Maj.

Përkrahja nuk ka munguar, si nga Ministria e Mjedisit dhe Komuna, ashtu edhe nga donatorë privat. Duhet ta theksojmë kontributin e subjektit Fundway, kontribut ky që i hapi rrugën fillimit të punimeve, por edhe i ”nxiti” subjektet tjera afariste që të kontribuojnë në këtë projekt, e ndër to vlen të përmendim: Inovativi, Iteg, Promo Home, Igmas, etj.

Pamje nga Hapja Zyrtare e Punimeve

 

Qëndrimi dhe zhvillimi i aktiviteteve sportive dhe edukative në natyrë është formë shumë e përhapur e relaksimit dhe zhvillimit të ndjenjës  së përgjegjësisë kolektive te të rinjtë. Ndërgjegjësimi i shoqërisë kosovare, me theks të veçantë grupmoshave të reja të të gjitha etnive dhe gjinive, si dhe i grupeve të ndryshme shoqërore ndaj gjendjes së trashëgimisë kulturore, natyrore dhe etnike të Kosovës është qëllim kryesor i këtij aktiviteti. Ky projekt ka të bëjë me zgjerimin e shtigjeve në parkun e Gërmisë dhe rritjen e rëndësisë së këtij parku shumë të veçantë.

Sensibilizimi i të rinjve për çështjet në fjalë synohet të bëhet nëpërmes organizimit të ecjeve malore, udhëtimeve dhe sensibilizimit për çështjet e mjedisit në përgjithësi. Gjithashtu,  do të iniciohet komunikimi dhe aktivitetet
sportive-malore, qëllimi i të cilave është ndërthurja e ideve, relaksimi, zhdukja e dallimeve etnike dhe shoqërore, njohja më e mirë e vlerave të mjedisit në përgjithësi, dhe Gërmisë në veçanti, si dhe zhvillimi i aftësive komunikuese.  Këtë aktivitet Sh.B.A.’’Prishtina’’ është duke e bërë qe disa vite, por me probleme jo të vogla financiare. Njohja me vlerat natyrore, trashëgiminë etno-natyrore, florën dhe faunën e Parkut të Gërmisë  është caku primar i shoqërisë ndërsa,  definimi dhe krijimi shtigjeve të reja për ecje dhe relaksim, mbetet pjesë përbërëse e vet doktrinës.

Qëllimi i këtij projekti është që të nxisë shfrytëzimin e Gërmisë nga qytetarët e Prishtinës dhe të tjerët. Për t’ia arritur këtij qëllimi, projekti  ynë është i varur nga grantet, grante këto që do ta bëjnë të mundur zhvillimin e dhe implementimin e këtyre iniciativave, iniciativa këto që do të lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithë qytetarët.

Deri më tani janë bërë me qindra orë pune vullnetare, por edhe punë profesionale, si në definim ashtu edhe në harta dhe caktimin e parametrave të shenjave.

Projekti‘’Definimi dhe Shënimi i Shtigjeve në Parkun e Gërmisë’’ është projekt bjeshkatar dhe është duke u kryer nga bjeshkatarët profesional të Sh.B.A.P-së.     Si eveniment është i karakterit ambiental dhe ka për qëllim hapjen e mundësive të reja për shfrytëzimin e resurseve të Malit të Gërmisë.  Numri i pjesëmarrësve të projektit shkon deri në dhjetëra Bjeshkatarë, Alpinistë, Natyralistë dhe entuziastë të të gjitha profileve.

Stafi i angazhuar në projekt

Stafi i angazhuar në projekt punon në baza vullnetare, por disa nga punët kërkojnë ekspertizë dhe punë profesionale, siç janë Kërkimi i Shtegut Konform Standardeve të UIAA-së, Matja dhe Hartografimi, Shënimi dhe
Përzgjedhja e Shenjave, etj.

 

Një gjest simbolik i përkrahjes nga MMPH

 

 

 

 

Në Grupin Menaxhues të Projektit bëjnë pjesë:

Muhamet Bajrami – Alpinist dhe Shënues Shtigjesh me eksperiencë 20 vjeçare.

Qëndrim Sopi – Alpinist dhe Guidë .

Fatmir Emini-Bjeshkatar dhe Guidë.

Në Komisionin Mbikëqyrës të Projektit bëjnë pjesë:

Fadil Sopi-Instruktor i Alpinizmit dhe Shënues Shtigjesh me eksperience 30 vjeçare.

Iliriana Dobroshi- Pjesë e Grupit Lobues për projektin.

Nazmi Hasanramaj-Alpinist, Guidë dhe Përpilues i Projektit.

Në Grupin Përkrahës bëjnë pjesë Bjeshkatarët:

Ismet Borovci,Teuta Bicaj, Gani Syla, Drita UkaMurat Vërbovci, Ismet Barami, Ejup Maxhera, Haki Hasanramaj Bashkim Gllogovci, dhe shumë vullnetarë që janë paraqitur në këtë grup.

Situata e tanishme në parkun e Gërmisë është si vijon: vetëm një pjesë e vogël e parkut të Gërmisë është në dispozicion të banorëve të Prishtinës, pjesa tjetër e parkut nuk është e shënjuar me asnjë shenjë për orientim, nuk ka ulëse për pushim në shtigje, nuk është e sigurt të ecet pasi që vetëm një numër i vogël i njerëzve mund të rrezikojnë të futen shtigjeve të panjohura malore. Po ashtu ka shumë pak informim publik për pjesën tjetër të parkut. Kur të merret parasysh se Mali i Gërmisë është rreth 60 km², ka një liqen prej 6 km gjatësi brenda
perimetrit, përkrah florë dhe faunë të pasur, na bën të ndihemi shumë kurioz për pjesën tjetër që nuk mund ta vizitojmë

Qëllimi i këtij projekti është definimi i shtigjeve dhe shënimi i tyre sipas standardeve malore dhe bjeshkatare të ecjes rekreative dhe sportive, konform standardeve të UIAA-së. Gjatësia e shtigjeve do të varet nga vet tereni që do të explorohet nga Alpinistët dhe Bjeshkatarët e Sh.B.A.’’Prishtina’’. Gjithashtu,  të tre shtigjet do të
përfaqësojnë vlera, kategori dhe natyrë të veçantë për ecësit.

Shtegu 1 - Është i gjatë, por jo shumë i thyer dhe me lakesa jo të forta, për ecësit që duan të sfidohen gjatë ecjes apo biçiklizmit malor. Ky është shteg ekzistues dhe është duke u përdorur, por duhet të shënohet, pastrohet dhe të vendosen Tabelat Udhëtreguese. Gjithashtu, ky shteg paraqet lidhjen kryesore në mes të
shtigjeve tjera.

 Shtegu 2 -Do të jetë i gjatë dhe mjaft i thyer, dhe si i tillë do të frekuentohet nga ecës që duan të sfidohen në gradacionin malor. Ky shteg gjendet më në veri, dhe është përdorur edhe më parë nga sportistët gjatë përgatitjeve fizike. Edhe ky do të shënohet dhe do të mundësohet lidhja me shtigje dhe ndër-shtigje tjera.

 Shtegu 3Është më i rëndësishmi dhe, me një fjalë, është Krye-Shtegu i këtij projekti. Ky shteg do të dallojë si për nga gjatësia, gradacioni, prominenca dhe karakteri sepse do të jetë më i gjati dhe më sfiduesi. Rëndësia e tij qëndron në atë se ofron dalje në Liqenin e Badovcit, resurs ky që ka mbetur i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së shtigjeve nga Parku i Gërmisë. Gjatësia e këtij shtegu është e konsiderueshme, dhe lidhet lehtësisht me të gjitha shtigjet ekzistuese të Gërmisë. Në këtë shteg mund të hyhet, si nga shtegu jugor, ashtu edhe nga ai verior, por mund të bëhen edhe lakesa tjera atraktive, e që përfundojnë në Liqenin e Badovcit,
përkatësisht, në Luginën e Kroit.

Ndër-Shtigjet -Janë segmentet që ndërlidhen me tre shtigjet kryesore, dhe si të tilla paraqesin rrjet të shënuar rrugësh malore që e rrisin shumë atraksionin e malit. Ndër-Shtigjet janë pjesë përbërëse e Rrjetit të Shtigjeve të Gërmisë, dhe mundësojnë lidhjen e kilometrave të tëra të shtigjeve malore.

Krojet e shtegut 3 -Janë kroje që janë përdorur me vite nga banorët e hershëm të këtij rajoni, por gjithnjë kanë mbetur në formën e puseve. Janë dy kroje që duhet të pastrohen dhe murosen konform ambientit malor që i rrethon. Rëndësia e këtyre krojeve qëndron në faktin se uji i tyre është i pijshëm, dhe e plotësojnë peizazhin e ambientit malor që i rrethon.

Të tre shtigjet do të jenë mjaft atraktive, sepse do ti shpijnë qytetarët e Prishtinës në pika të reja brenda parkut, gjë kjo që do ta rrisë shumë frekuentimin e Malit të Gërmisë në përgjithësi. Rëndësi të madhe ka edhe qasja
në Liqenin e Badovcit, sepse ky liqen është atraktiv, si për shëtitje, ashtu edhe për peshkim.

Ekipet e Sh.B.A.’’Prishtina’’ janë duke i udhëhequr punët në definim, shënim, pastrim, si  dhe do të asistojnë dhe sigurojnë mbështetje logjistike. Gjithashtu, Grupi Përkrahës i Sh.B.A.’’Prishtina’’ është në dispozicion të Grupit Menaxhues, në pastrim, gërmim dhe rregullim të segmenteve të caktuar të shtigjeve.

Pjesëmarrësit në këtë projekt përfaqësojnë të gjitha kategoritë shoqërore dhe etnike të Kosovës, por edhe zërin e qytetarëve të Prishtinës dhe Kosovës. Rëndësia e këtij aksioni, përveç tjerash, qëndron në promovimin e vlerave
tona kombëtare, shtetërore dhe demokratike.

Ndërsa, përdorimi i shtigjeve do të jetë i shumëllojshëm, e ku përfshihen:

Ecja Relaksuese , Shëtitja Familjare , Vrapimi dhe Ecja Sportive, Shëtitja e Qenve , Biciklizmi Malor, Ecja Nordike në Dimër (me ski), Kampimi, Sportet Ujore në Liqenin e Badovcit, etj.

Parku Regjional i Gërmisë

Sipas Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, të dhënat për Parkun Regjional të Gërmisë janë si më poshtë: Gërmia është shpallur Zonë e Mbrojtur me 1987. Shtrihet në verilindje të kryeqendrës së Kosovës (Prishtinës) dhe përfshinë një sipërfaqe prej 62 km2. Në saje të pozitës gjeografike, pedologjike, kushteve klimatike, masivi malor i
Gërmisë është mjaft i pasur si në pikëpamje floristike, vegjetative dhe faunistike. Nga hulumtimet e deritanishme janë të evidentuara rreth 600 lloje të florës vaskulare 5 prej të cilave endemike. Po ashtu janë regjistruar 5 lloje
ujëtokësorësh, 7 lloje të rrëshqitësve, 19 të gjitarëve dhe rreth 30 lloje të shpendëve.

Gërmia në vjeshtë

 

Për shkak të bukurive të posaçme natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore, të cilat janë me rëndësi kulturore – arsimore, shkencore dhe turistike – rekreative, në vitin 1987, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë nën mbrojtje Kompleksin “Gërmia”, në kategori të Parkut Regjional të Natyrës, me sipërfaqe 1.126.01.00 ha.

Masivi malor i Gërmisë paraqet një pasuri natyrore shumë të rëndësishme jo vetëm për Prishtinën, rrethinën por edhe tërë Kosovën. Kufijtë e Gërmisë fillojnë prej kodrës së vreshtave në perëndim, pastaj në lindje të Prishtinës përmes kodrës së Mirditës deri te xeherorja e Ajvalisë e deri te rrjedha e lumit të Graqanicës, kufiri jugor shkon përmes rrjedhës së këtij lumi deri te derdhja e lumit të Busisë në të. Në lindje kufiri shtrihet përmes lumit të Busisë deri te fshati Mramor e Butos e pastaj deri te lumi i Prishtinës, i cili është kufiri verior i këtij masivi malor. Pika më e lartë e Gërmisë është maja e Butosit me lartësi mbidetare prej 1050 m.

Relievi i Gërmisë përbëhet prej kodrave me lartësi dhe pjerrësi të ndryshme të ndara mes tyre me hapësira të luginave të përroskave dhe lumenjve. Këtu posaçërisht veçohet lugina e lumit Vellusha e cila buron në pjesën perëndimore të kodrës së Butosit, e cila edhe përfaqëson relievin më karakteristik me lartësi mbidetare 1000 m dhe gjatësi prej afro 8 km. Kjo pjesë shtrihet në mes të lumit të Prishtinës në veri dhe atij të Badocit në jug, e që njëkohësisht paraqet nyjën hidrologjike të lumit të Prishtinës, Vellushës dhe Badocit. Përndryshe në Gërmi
ekzistojnë edhe mjaftë burime të cilat gjatë periudhës verore pjesërisht thahen. Sot uji i këtyre burimeve është i lidhur me një rrjetë që derdhet në pishinën e Gërmisë.

Pasuria floristike, vegjetative dhe faunistike e Gërmisë

Në sajë të pozitës gjeografike, veçorive gjeologjike, pedologjike, kushteve klimatike masivi malor i Gërmisë është mjaftë i pasur si në pikëpamje floristike, vegjetative dhe faunistike. Nga hulumtimet e deritashme janë të evidencuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje dhe 83 lloje kërpudhash duke mos llogaritur taksonet e 2 barërave të këqija, atyre ruderale dhe bimëve tjera të ulta. Prej tyre 5 lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore.

Vegjetacionin pyjor të Gërmisë e përbëjnë 4 bashkësi pyjore: Bashkësia e shpardhit dhe qarrit (prej 600- 700 m lartësi mbidetare), bashkësia e bungut dhe shkozës (800 m ), bashkësia e bungut (820- 870 m) dhe bashkësia e ahut (1000 m).

Kompleksiteti i biotopeve natyrore të Gërmisë siguron kushte për jetesën e një sërë llojesh shtazore. Sipas hulumtimeve të bëra deri më sot dhe sipas shënimeve të literaturës në regjionin e Gërmisë janë regjistruar: 5 lloje
ujëtokësorësh, 7 lloje të rrëshqitësve, 19 lloje të gjitarëve dhe 30 lloje të shpendëve. Po ashtu jetojnë edhe një numër I madh I insekteve që përbëjnë grupin më të madh të shtazëve në këtë masiv.

Ndërsa të dhënat nga terreni sot janë alarmante, flitet për zhdukjen e shumë llojeve bimore dhe shtazore.

Statusi i ligjor i mbrojtjes së Gërmisë

Për shkak të bukurive të posaçme natyrore, vlerave burimore dhe estetike natyrore të cilat janë me rëndësi kulturore- arsimore, shkencore dhe turistike- rekreative kësaj zone I është kushtuar edhe një përkujdesje ligjore qysh herët.

Në vitin 1966 vendoset që një pjesë e masivit malorë të Gërmisë të shpallet si “Pyje për piknik” (“GZK” nr. 32/66). Në vitin 1987 Kuvendi Komunal I Prishtinës merr Vendim për vënien nën mbrojtje të Kompleksit të “Gërmia” në
kategori të Parkut regjional i natyrës (“GZK” nr. 43/87). Me këtë është mbrojt sipërfaqja prej 1.126.01.00 ha. Në bazë të këtij vendimi me Parkun e menaxhon OP. “Hortikultura”. Ndërsa mbikëqyrjen profesionale e bën Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.

Sipas IUCN (Unionit botëror për Ruajtjen dhe Konservimin e Natyrës) Parku i Gërmisë është evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura (IUCN, 1990 United Nation List of National Parks and Protected Areas)

Gërmia vend i rekreacionit dhe i pushimit për qytetarët e Prishtinës

Mbi 75 % e sipërfaqes së Parkut të Gërmisë është e mbuluar me pyje mjaftë të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut. Një pjesë të rëndësishme të sipërfaqes së mbrojtur e përfshinë edhe zona për rekreacion dhe pushim, në të cilën gjenden edhe livadhe si dhe infrastruktura e ndërtuar.

Zona e pyjeve përfshinë 884.57.07 ha, zona e kullotave 204.29.00 ha, zona e livadheve 42. 55. 16 ha, kopshteve 2.67. 54 ha, toka jopjellore 14. 24. 79 ha dhe zone e ndërtimeve dhe rrugëve 19. 67. 72 ha.

Në kuadër të territorit të mbrojtur gjendet edhe zona për rekreacion dhe pushim, e cila përfshinë një sipërfaqe prej 41.40.52 ha. Zona për rekreacion dhe pushim fillon prej pishinës e më tutje në brendi të Gërmisë duke përfshirë
livadhet, ish pushimoren e fëmijëve, terrenet sportive, ish hotelin e Gërmisë dhe deri te fillimi skiliftit.

Kjo zonë është e rrethuar me pyje të dushkut dhe të ahut, me pamje atraktive dhe është i dedikuar për pushim dhe rekreacion. Këto vlera atraktive natyrore dhe ajri i pastër i Gërmisë tërheqin vëmendjen që një numër i madh i
banorëve të kryeqytetit dhe rrethinës të kalojnë një pjesë të ditës ose edhe fundjavën në të.

Problemet dhe ruajtja e Gërmisë

Nocioni mbrojtje e natyres perfshine te gjitha hulumtimet, analizat dhe masat per ruajtjen dhe rivendosjen e ekuilibrit ne natyre. Ekulibri i natyres duhet te ruhet per shkak te vlerave te saja dhe se eshte baza jetesore e shume qenieve te gjalla: bimeve, shtazeve dhe e vete njerezve

Masivi malor i Gërmisë edhe pse ne përgjithësi i ka ruajtur vlerat e veta natyrore, megjithatë ndikimi negativ i faktorit antropogjen nuk ka kaluar pa lëne gjurmët e veta. Janë te dukshme dëmtime te ekosistemeve ndryshme përmes eksploatimit te pyjeve dhe si rezultat i kësaj dukurie është paraqitë erozioni dhe rrëshqitja e tokës. Po ashtu kjo ndikuar edhe në çrregullimin dhe zvogëlimin e rrjedhave të ujit , e cila ka shkaktuar edhe ndryshueshmëri në strukturën e bashkësive jetësore bimore dhe shtazore.

Meqenëse Gërmia paraqet një rajon shumë të rëndësishëm dhe interesant në aspektin floristik, vegjetativ, faunistik dhe turistikë-rekreativ është e domosdoshme që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtjen e sajë nga degradimi i mëtejmë.

Për mbrojtjen e Gërmisë duhet para se gjithash:

Të respektohet ligji për mbrojtjen e natyrës, te hartohet plani hapësinor dhe plani zhvillimor i saje, te zgjerohet zona e mbrojtur dhe te mbrohen te gjitha vlerat e saja si masiv, nxitja e projekteve hulumtuese për vlerat natyrore te Gërmisë, ripërtëritja e hapësirave të degraduara me bashkësi autoktone, ndalimi i ndërtimit te objekteve dhe rrugëve në mënyrë të paplanifikuar, pastrimi i zonave te minuara dhe pastrimi i mbeturinave te ndërtesave nga bombardimet, ndalimin e hedhjes së mbeturinave, ndalimin e qarkullimit të automjeteve në brendësi përveç atyre zyrtare dhe shërbyese, mos ndryshimin e rrjedhave dhe burimeve natyrore të ujit, vendosja e tabelave informuese në vende të caktuara të Gërmisë, nxitja e programeve të vetëdijesimit për rëndësinë e vlerave natyrore te Gërmisë ,etj.

Prandaj për ruajtjen e Parkut të Gërmisë si zonë e mbrojtur por edhe të tërë masivit të Gërmisë nga degradimi i mëtutjeshëm duhet një angazhim më i madh duke filluar prej qytetarit, ndërmarrjes menaxhuese, organeve komunale të Prishtinës, e deri te instancat më të larta shtetërore.

Pra duke e ditur se ruajtja e masivit të Gërmisë është me interes kombëtar dhe ndërkombëtar nuk duhet humbur shume kohë sepse edhe ashtu pak jemi të vonuar dhe koha nuk pret.

Projekti ynë është një nga hapat e domosdoshëm për mbrojtjen e kësaj vlere kombëtare.